auto 206836185 4206097436102726 245318488521398222 n16249803831 560x416 - KK në Ferizaj miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore me gati 34 milionë euro për vitin 2022

Kuvendi Komunal i Ferizajt gjatë ditës ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën me shumicë të votave është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore për vitet 2022-2024. Ekzekutivi i komunës me këtë rast ka paraqitur një varg projektesh të cilat do të realizohen gjatë kësaj periudhe kohore, ndërkaq për vitin 2022 janë planifikuar gjithsejtë 33 milion e 933 mijë e 968 euro.

Kryetari i Komunës Agim Aliu, para kuvendarëve ka thënë se në këtë dokument janë mirëpritur të gjitha kërkesat e qytetarëve dhe të kuvendarëve për projekte të ndryshme.

“Me buxhetin e planifikuar për vitin 2022 prej 33 milion e 933 mijë e 968 euro dhe me rritjen e vazhdueshme për vitet 2023-2024 me afro 2 milionë euro, presim që të rrumbullakojmë të gjitha investimet e domosdoshme që pikësynim kanë transformimin rrënjësor të Ferizajt dhe kompletimin e nevojave të domosdoshme për investime publike”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, është e natyrshme që para se të vendoset fokusi për projekte të reja të vendoset theksi edhe te një fakt i njohur e i pranuar për të gjithë qytetarët e Ferizajt, me arsyetim se janë realizuar projekte të shumta në të mirë të qytetarëve.

“Janë të shumëfishta përfitimet që kanë përfituar qytetarët gjatë këtyre katër vjetëve të qeverisjes sonë. Kjo ka bërë që Ferizaj të ndryshoi, andaj nuk është më i njëjti sikurse 4 vjet më parë. Qytetarëve të Ferizajt si asnjëherë më parë u është pasuruar jeta e përditshme. E gjithë kjo flet për një këmbëngulje të plotë të qeverisjes për ta bërë Ferizajn edhe më të mirë”, ka thënë më tej Aliu.

Sipas Aliut Korniza Afatmesme Buxhetore është vizioni zhvillimor për vitet e ardhshme për qytetin e Ferizajt, andaj në këtë dokument janë inkorporuar të gjitha kërkesat dhe sugjerimet e qytetarëve qoftë nëpërmjet debateve publike apo edhe kërkesave të tyre zyrtare./koha.net/