Duhet të shkëputesh rreth dy kilometra nga qendra e qytetit të Ferizajt për të shkuar te Mulliri i Nikës. Përveç se me makinë, për vizitorët është duke u shtruar edhe një rrugë me kubëza që të shpie te mulliri 500-vjeçar i vjetër. Për të thuhet të jetë ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane. Shëtitorja që do të jetë mes një parku, është duke u shtruar paralel degës së majtë të lumit Nerodime. Në rrjedhën e këtij lumi është ndërtuar Mulliri i Nikës, në vendin ku bëhet ndarja fizike e bifurkacionit në dy degët e tij, njëra degë që shkon në lumin Sitnicë, më pas në Ibër, për të përfunduar në Detin e Zi, dhe dega tjetër në lumin Lepenc, Vardar dhe derdhet në Detin Egje.
Shaban Kashtanjeva, i cili ka trashëguar Mullirin e Nikës, thotë se as babai i tij nuk e ka njohur Nikën, pronarin e parë të mullirit gjysmëshekullor, emrin e të cilit ende e mban. “Siç tregojnë Nika ka qenë pasanik i madh në atë kohë dhe për shkak të belave, nuk e di sa është e vërtetë, por thonë se ka ikur për Turqi”, ka treguar ai një pjesë të historisë së Nikës, sipas të cilit është emëruar mulliri, të cilit pronarët nuk i kanë ndërruar emrin, sepse mulliri njihej me këtë emër. “Emri Nikë përmendet, por nuk dihet se kush ka qenë Nika”, vazhdon rrëfimin Kashtanjeva. Ai thotë se babai i tij ka punuar në këtë mulli që nga viti 1926, ende pa i mbushur 15 vjet. “Prej kësaj kohe e deri në vdekje ka punuar këtu”, ka thënë Shaban Kashtanjeva.
Në mullirin e Nikës janë katër gurë që ende bluajnë misër e grurë. Gurët janë ashtu siç i ka lënë babai i Shabanit. “Ende punojnë të katër gurët. Janë harxhuar, por punojnë. Duhet edhe me i preh, me i cokat për ta bluar misrin apo grurin”, tregon Kashtanjeva për “Zërin”. Bashkë me gurët e mullirit janë edhe magjja, sofra, sita, lugë dhe enë të tjera për të gatuar. “Gjëra të vjetra kam mbledhur nëpër fshatra”, ka thënë ai, duke treguar se aty është edhe shkëmbi 90-vjeçar, tradicional shqiptar, që e ka trashëguar nga babai i tij.
Shaban Kashtanjeva tregon se mulliri ka punuar 24 orë pa ndërprerë, ndërsa njerëzit kanë pritur deri afër dy javë në rend dhe kanë ardhur nga mbarë Kosova. “Kur u është harxhuar ushqimi që e kishin me vete, kanë gatuar në mulli, sepse kanë qenë të gjitha enët e nevojshme për të gatuar”, thotë ai, duke treguar këtë e mban në mend si fëmijë.
Në vitin 2002, është bërë renovimi i Mullirit të Nikës, gjë që ia ka zgjatur jetën këtij mulliri. “Mulliri është në gjendje të rregullt, por ka mungesë të ujit, tash e pesë vjet. I kam lajmëruar të gjitha institucionet, është ndërtuar një mur i cili nuk e lë ujin të qarkullojë dhe nuk po e rrëzojnë atë mur”, ka thënë Kashtanjeva.
Mulliri i Nikës ka vazhdimisht vizitorë. “Ka shumë vizitorë, sidomos gjatë verës, por edhe dimrit”, ka thënë ai, derisa thotë se ka vizitorë të huaj dhe vendas, shkruan Zëri.
Ilir Bytyçi, zyrtar për trashëgimi dhe muze, thotë se deri në vitin 1999 mulliri ka qenë në gjendje të vështirë, ndërsa pas luftës, me një projekt të Ministrisë së Kulturës, me restaurimin e shumë pjesëve të këtij mulliri i është shtuar jetëgjatësia.
“Janë ndërtuar muret dhe kulmi i ri, kjo është bërë duke e ruajtur identitetin e mullirit”, ka thënë Bytyçi. Ai ka treguar se Mulliri i Nikës është njëri prej mullinjve më të famshëm në komunën e Ferizajt. Ai thotë se tani bluarja bëhet sa për ta ruajtur atë namin dhe traditën e qytetit, sepse siç tregon ai, Ferizaj njihet në tërë Kosovës për radhën e gjatë të njerëzve që prisnin për të bluar në mulli.
“E ka pasur edhe pjesën e mysafirëve sepse ka pasur raste kur njerëzit me ditë ose javë kanë pritur në radhë për të bluar misrin”, ka thënë Bytyçi për gazetën. Dhoma e mysafirëve, është njohur si Oda e zjarrit. “Ka pasur edhe dy pjesë, dy oda të vogla të ngjashme me Odën e zjarrit që nuk i kanë rezistuar kohës”, ka treguar Bytyçi.
Mullirin e Nikës e mban mend si fëmijë. Shaban Hamza, banor i qytetit të Ferizajt, e kujton se si njerëzit prisnin në radhë për të bluar në këtë mulli.
“Kanë ardhur njerëz nga rrethina për të bluar këtu. Ka qenë si vendtakim dhe kanë ndodhur ngjarje të ndryshme në këtë mulli”, thotë Hamza, i cili tregon se kur ishin të ri, i kullosnin bagëtitë në këtë zonë. “Pjesën më të madhe të rinisë e kemi kaluar në këtë zonë të qytetit, deri në shtatë orë në ditë rrinim këtej me bagëti”, thotë ai. “Prej këtu janë shpërndarë lajmet dhe ka qenë vend i bereqetit”, shton Hamza.
Naser Mustafa, tjetër banor i këtij qyteti, thotë se më të moshuarit u kanë treguar për vjetërsinë e Mullirit të Nikës. “Këtu ka qenë si një lloj udhëkryqi i fshatarëve, ka qenë vendtakim i shumë fshatarëve. Bile këtu janë marr vesh edhe martesa”, ka thënë Mustafa duke shtuar se mulliri njihet si vendi me traditë të vjetër në anën e Ferizajt.
Nuhi Avdiu ka tre vjet që punon në restorantin që është afër mullirit. Ai thotë se për këto tre vjet ka parë shumë vizitorë që vijnë në Mullirin e Nikës.
“Përveç nga Kosova, ka vizitorë edhe nga Kanada, Zvicra, Franca. Vizitorëve u bën përshtypje historia për këtë mulli”, ka thënë Avdiu.
Në rrjedhën e lumit Nerodime ishin gjithsej 52 mullinj, prej të cilëve Mulliri i Nikës është njëri nga mullinjtë më të vjetër dhe më të mëdhenj që ka ekzistuar në rrjedhën e këtij lumi.