Teatri Adriana 1024x5761 1 560x416 - Pandemia privon Ferizajn nga kryengjarja kulturore


Ishte një ngjarje që Ferizajn e bënte epiqendër të trupave teatrore nga e gjithë gjeografia shqiptare. Këtë vit pritej të shënohej jubileu i 50-të edhe duke u shtrirë në qytete të tjera në Kosovë. Por, edicioni i sivjetmë i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove në Ferizaj (FTF) është shtyrë për vitin e ardhshëm.

Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, Teatri i Qytetit “Adriana” pasditen e së enjtes ka njoftuar mbi vendimin e anulimit të edicionit jubilar të FMF-së.

Gjendja pandemike dhe shtrëngimi i masave mbrojtëse kanë bërë që Këshilli Drejtues dhe menaxhmenti i këtij teatri, në konsultim edhe me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj, të marrin vendimin për shtyrjen e jubileut.

“Ky vendim rrodhi nga diskutimi i gjatë mes anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe menaxhmentit të Teatrit, padyshim me konsultën e përhershme edhe me institucionet lokale dhe ato shëndetësore, vendim ky i dhembshëm por i domosdoshëm kur mirëfilli e dimë se është pikërisht Festivali i Teatrove kryengjarja kulturore e Ferizajt për vitin përkatës kalendarik”, është thënë në njoftimin e Teatrit “Adriana”.

Teksa ka shprehur keqardhje për këtë vendim, “Adriana” ka njoftuar se edicioni jubilar – 50-vjetori i Festivalit të Teatrove – do të mbahet vitin e ardhshëm.

Sipas drejtuesve të këtij teatri, ky vendim është bërë edhe “për ta përgatitur ashtu siç e meriton, dinjitetshëm, me pjesëmarrjen e gjerë të publikut fantastik ferizajas dhe jo vetëm, si dhe me mirëpritjen e trupave teatrore nga e gjithë gjeografia shqiptare”.

“Teatri ‘Adriana’ dhe Këshilli Drejtues shprehin keqardhjen para publikut, artdashësve, trupave teatrore, për këtë vendim të diktuar nga situata epidemiologjike në vend”, përfundon njoftimi.

Drejtori i Teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni, ka thënë se përgatitjet për edicionin e sivjetmë kishin nisur qysh në muajin mars. Organizatorët e kishin menduar që festivali të shtrihej edhe në Gjilan e Prishtinë.

“E shtymë festivalin me shpresën që gjendja me pandeminë do të përmirësohet”, ka treguar Hyseni gjatë një bisede për KOHËN. Ka thënë se koha e shkurtër deri në tetor, problemet në kufi të trupave pjesëmarrëse dhe mungesa e publikut kanë ndikuar në vendimin e Këshillit Drejtues të Teatrit “Adriana”.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:


Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.