ferizaj 560x347 - Përmbaruesit ia marrin komunës së Ferizajt mbi 2 milion e 320 mijë euro

Komuna e Ferizajt shënon rritje të të hyrave vetanake me 22% më shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Kështu thuhet në një njoftim për media të komunës së Ferizajt.

Drejtoresha e Drejtorisë së Financave, Sebahate Ajeti – Sadiku ka mbajtur konferencë me gazetarë, me ç ‘rast ka prezantuar sfidat dhe sukseset e kësaj drejtorie në këtë periudhë qeverisëse.

“Ndër sfidat më të mëdha të financave komunale janë borxhet e mëdha të trashëguara nga ish-pushteti, me ç’rast afro 80% e pagesave të realizuara në këtë periudhë qeverisëse ka qenë pagesë e borxhit të trashëguar. Telashe kjo drejtori ka edhe me vendime të shumta të gjykatave si dhe procedura përmbarimore ku deri më tani vetëm nga përmbaruesit për pagesën e borxheve të trashëguara janë shpenzuar 2,320,933.92€ kurse për këtë vlerë janë paguar afro 40,000€ shpenzime për procedurat përmbarimore, gjegjësisht tarifa e kamata për përmbaruesit privat”, ka thënë Aliu-Sadiku.

Sfidë tjetër sipas saj e kësaj drejtorie është edhe fondi i pakët për digjitalizimin e shërbimeve financiare për nevojat e qytetarëve, mungesa e stafit administrativ si dhe pamjaftueshmëria e fondeve për operim normal me projekte të ndryshme të parapara në platformën qeverisëse të Kryetarit të Komunës, Agim Aliu.

Si suksese për këtë periudhë qeverisëse, drejtoresha e financave, ka theksuar rritjen e të hyrave vetanake për 22% për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (Janar-Maj 2017/Janar-Maj 2018), realizimin e të hyrave nga tatimi në pronë në vlerë prej 612,671.31€ apo 31% më të lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si dhe politikat e kursimit të parasë publike që parashohin edhe shkurtime të shpenzimeve në disa prej kategorive ekonomike.