keshili i sigurise ne Kosove 560x416 - Qeveria i jep 53 milionë euro Bechtel & Enka

Qeveria ka miratuar kërkesën për kompensimin e konsorsiumit “Bechtel & Enka” për zgjatjen e kontratës.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka thënë se qeveria e kaluar nuk kishte paguar faturat me rregull.

“Qeveria ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e kësaj autoudhe në vlerë 600 milionë euro dhe pastaj ky çmim është rritur me 608 milionë euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së. Është paraparë të përfundonte më 1 janar 2018. Ish Qeveria nga 2014 deri 2017 nuk kishte paguar me rregull faturat është dashur të shtyhet afati për përfundimin e punimeve. Të ndodhur në këtë situatë kemi qenë të detyruar të vazhdojmë kohëzgjatjen e kontratës në mënyrë që të mos ndërpriteshin punimet që do të kishte pasoja të dhimbshme për vendin”, u shpreh ai.

Ai tutje ka treguar se Bechtel & Enka ka paraqitur kërkesë për shpenzime në shumë për 63 milionë euro për shpenzime indirekte, mirëpo kjo shumë është ulur në 45 milionë euro, e me TVSH është 53 milionë e 100 mijë euro.

Kurse Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se sa i përket atij veprimi është i duhur, rrjedhimisht kërkesa aprovohet.

“Ky është konkluzioni real që Qeveria merr përgjegjësinë në këtë situatë të mos lejojë vendin me kalu në konteste ligjore që kishin përfunduar në Gjykata ndërkombëtare”, u shpreh Haradinaj.