qkuk1 560x416 - SHSKUK-ja jep detaje për vdekjen e 24-vjeçares nga COVID-19 pas lindjes së fëmijës

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka dhënë detaje për vdekjen e 24-vjeçares nga Ferizaj.

Në përgjigjen e tyre për gazetën Express thuhet se ajo ishte e konfirmuar me COVID-19 dhe kishte lindur me operacion.

Zyra për Media e SHSKUK-së ka bërë të ditur se viktima ishte e konfirmuar me COVID-19 dhe kishte lindur me operacion.

“Zyra për medie e SHSKUK-së ju konfirmon se ditën e djeshme në Mjekimin Intensiv COVID në QKUK, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor, nuk ka arritur të mbijetonte një nënë e lindur më 1997-n, nga komuna e Ferizajt, e cila ishte e konfirmuar me COVID, e njëjta kishte lindur me operacion në Klinikën e Gjinekologjisë, në javën 34, të shtatzënisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas kësaj zyre, pas lindjes 24-vjeçares i ishte keqësuar gjendja dhe ishte transferuar në Klinikën Sportive.

“Pas lindjes i ishte keqësuar gjendja dhe ishte transferuar fillimisht në Klinikën Infektive 2 (Sportive), e më pas më datën 4 prill në Mjekimin Intensiv – COVID”.

Viktima sipas njoftimit, më 6 prill, ka rezultuar negative me COVID-19, por nuk arriti të mbijetonte, meqë kishte gjendje të rënduar shëndetësore.

“Në ritestim të datës 6 prill e njëjta ishte negativizuar në testin për COVID, por përkundër kujdesit maksimal, e njëjta nuk arriti të mbijetonte, meqë kishte gjendje të rënduar shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.