U tha se vlera e këtij projekti do të jetë 320 mijë euro, ku me 300 mijë euro do të financojë komuna e Ferizajt, ndërsa Caritas Kosova me 20 mijë euro
Ka vazhduar sot mbledhja e Kuvendit Komunal të Ferizajt e cila ishte ndërprerë dje.
Kryesuesja e Kuvendit Kristina Gashi-Bytyçi e hodhi në votim propozim-vendimin për marrëveshjen e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimin dy palësh në mes Komunës së Ferizajt dhe Caritas Kosovës e cila ka për qëllim rikthimin e projektit “Ngritja e përkujdesit social-shëndetësor, shtëpiak dhe ambulantor në Komunën e Ferizajt”.
U tha se vlera e këtij projekti do të jetë 320 mijë euro, ku me 300 mijë euro do të financojë komuna e Ferizajt, ndërsa Caritas Kosova me 20 mijë euro. Kjo pikë e rendit të ditës mori 22 vota, por pjesë e vazhdimit të kësaj mbledhje nuk ishin anëtarët e LDK-së dhe të Vetëvendosjes.
Në këtë mbledhje u mor vendim që të formohet edhe komisioni për emërtimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike në komunën e Ferizajt. Nga Partia Demokratike e Kosovës u propozua Faik Sylejmani, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Përparim Çalaj, nga Aleanca Kosova e Re u propozua Vesel Ramadani, ndërkaq nga Drejtoria e Urbanizmit do të jetë Fatbardha Ajeti, vendet e rezervuar në këtë komision i ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja.
Po ashtu u mor vendimi edhe për shpërndarjen e druve të zjarrit për familjet skamnore, dru këto të cilat janë konfiskuar nga ana e Policisë së Kosovës në Ferizaj.