Qyteti i Ferizajt është i pasur me trashëgimi të paluajtshme arkeologjike, arkitektonike, që dëshmojnë jetesën në periudha historike. Por, ai njihet edhe për trashëgiminë e luajtshme dhe shpirtërore, si dëshmi të gjalla për kohët e kaluara dhe për historinë e bujshme politike e kulturore, jo vetëm si njohuri për të kaluarën, por edhe si krahasim me kohën e tashme.
Rëndësia e Ferizajt qëndron në larminë e trashëgimisë kulturore. Të gjitha komunat e Ferizajt formojnë një gamë të trashëgimisë kulturore, që i përket epokave të ndryshme, qoftë nga ajo neolitike siç është Varoshi, mesjetë e hershme Kaçaniku, Nikadini, mesjetë Nerodimja dhe Jezerci; periudha otomane pothuajse gjendet në të gjitha vendet që mbulon kjo qendër.
Rajoni i Ferizajt në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme ka të listuara gjithsej 130 asete, prej të cilave 12 eksponate të luajtshme dhe 118 të paluajtshme, prej nga 19 janë rezervate arkeologjike, 27 ansamble arkeologjike, 72 ansamble arkitekturore. Ferizajt përfshin komunën e Shtimes, Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës.
Disa nga vendbanimet arkelogjike të Ferizajt janë :
Vendbanimi arkeologjik në Greme
Duke u mbështetur në gjurmët e rrënojave dhe themeleve që u vërejtën në këtë vendbanim mund të thuhet se kemi të bëjmë me një objekt kulti të periudhës paleokristiane të shekujve V-VII. Muret, kryesisht themelet, janë të përbëra nga gurët gjysmë të punuara dhe të lidhura me llaç të cilësisë së mirë. Matjet paraprake rezultojnë një objekt me një shtrirje 16 m lindje-perëndim dhe 12 m veri-jug. Gurët janë të përmasave të ndryshme: 25×40 cm, 20×50 cm, 30×65 cm etj. Vendi ku shtrihet ky objekt gjendet në një lug të veshur jashtëzakonisht dendur me bimësi. Duke u mbështetur nga konfiguracioni i terrenit dhe shtrirja e objektit, mund të dallohen pjesërisht format e absidës me diametër rreth 3.70 m. Në hapësirën përreth objektit ka edhe gjurmë të gurit të shtufit dhe fragmente të tjegullave me gjerësi: 2, 2.5, 3.5, 4 cm.
Vendbanimi arkeologjik në Nerodimen e Ulët
Në vitin 1988, në fshatin Nerodimë e Ultë, e pozicionuar në perëndim të qytetit të Ferizajt, disa sondazhe arkeologjike të zhvilluara në vendin fare pranë varreve ortodokse, rezultuan me zbulimin e një kompleksi prej një vile të antikës së vonë, me atrium dhe mozaik polikromi, gjeometrik dhe figural i dyshemesë. Faza e parë i përket shek. IV, kurse rindërtimi dhe mbindërtimi i takon shek. V-VI. Mozaiku u zbulua në dyshemenë e një dhome drejtkëndore. Duke u mbështetur në kompozimin e mozaikut të dyshemesë zbuluar në këtë lokalitet dhe analogjia e stilit të kompozimit të mozaikut me martirijumin e Heraclea Lyncestis në Maqedoni si dhe martiriumin e bazilikës së Linit në Shqipëri, ngjajshmëria e të dy vendbanimeve (mozaikëve) të lartëpërmenduara me mozaikun e Nerodimes së Poshtme është evidente dhe reflektojnë vepër të artit të ndonjë artisti apo shkolle shumë të mirë të kohës në fjalë.
Vendbanimi arkeologjik Neolitik në Varosh
Lokaliteti neolitik i Varoshit ndodhet në komunën e Ferizajt, kryesisht vetëm 2 km në jug, juglindje të këtij qyteti, në fshatin me po të njëjtin emër. Megjithëse këtu akoma nuk janë zhvilluar sondazhe arkeologjike, në disa raste kanë dalë gjurmë të fragmenteve të ndryshme të qeramikës neolitike, kryesisht zbuluar rastësisht gjatë punimeve bujqësore të tokave; material ky në pjesën më të madhe i lëvizshëm arkeologjik që dëshmon gjurmët e një vendbanimi të hapur tipik neolitik të të dy kulturave, si të Starçevës ashtu dhe të Vinçës. Gjatë vitit 2011, në disa parcela të këtij lokaliteti arkeologjik u zhvilluan disa incizime gjeofizike, të cilat reflektuan struktura të nëndheshme që mbase mund të indikojnë në gjurmët e “banesave” neolitike.
Venbanimi arkeologjik ‘Tuma-Gur’-Nekropol romak (Ferizaj)
Fshati Zaskok gjendet rreth 3 km në jug-perëndim të qytetit të Ferizajt. Lokaliteti arkeologjik i identifikuar si TUMA-GUR gjendet pranë shkollës së vjetër si dhe pranë Zyrës së Vendit të fshatit Zaskok. Në vitin 1981 janë bërë gërmime sondazhi nga Muzeu i Kosovës. Me këtë rast, këtu u zbulua një nekropol i periudhës romake, përkatësisht u zbuluan 4 varre me djegie dhe konstruksione të ndryshme varrore. Gjetje tjera janë: disa enë të qelqit, 3 amfore të qeramikës si dhe fibula e argjendit. Këto gjetje janë tipike për fundin e shek. III dhe fillimin e shek. IV.