Nisma Socialdemokrate sot ka mbajtur Kuvendin e punës në Ferizaj, ku u vlerësua lartë përkrahja që po merr nga qytetarët dhe përqafimi i vizionit politik e zhvillimor të Nismës në Ferizaj dhe Kosovë.
Kryetari Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj theksoi se sot është ditë solemne në Ferizaj dhe po ashtu për Nismën Socialdemokrate në përgjithësi, pasi sheh djem dhe vajza që janë të përgatitur dhe të vendosur për të dhënë kontributin e tyre për Nismën.
Limaj: Skena Politike në Kosovë filloi të bastardohet
“Skena Politike në Kosovë filloi të bastardohet, të denigrohet e të degjenerohet, dhe jo rastësisht një pjesë e madhe e qytetarëve të vendit tonë, filloi të refuzojë që të merr pjesë aktive në aktivitete politike. Ky refuzim erdh si rezultat i dëshpërimit, fatkeqësisht edhe të mashtrimeve, pasi ata u ndjen të mashtruar, të dëshpëruar e të zhgënjyer nga eksponentë të caktuar politik. Me gjithë dëshirën dhe vullnetin për të dhënë kontribut politik, vajzat e djemtë e Ferizajt dhe të gjithë Kosovës, nuk iu lejua që aktivisht energjitë pozitive, t’i fusin në shërbim të vendit të tyre”, tha i pari i Nismës.
Ai po ashtu theksoi se politika është zbulimi më i madh dhe më fisnik që i ka ndodhur në historinë e njerëzimit. Por, Limaj ka vlerësuar se çelësi i zhvillimit të një vendi, është ajo se kush e udhëheq vendin dhe politikën e vendit, dhe ka marr shembull Gjermaninë, e cila si një fuqi ekonomike dhe një komb i shkencëtarëve të mëdhenj, i dha besimin Hitlerit, siç e quajti ai një psikopati që e futi vendin në luftë dhe e shkatërroi Gjermanin, duke synuar që ta shkatërrojë edhe botën.
Limaj: Ndryshimi është në mesin tonë
“Ndryshimi është në mesin tonë, të qytetarët, ndryshimi është këtu. Kur populli vendos me ndryshuar, asgjë nuk e ndal, por për të ndryshuar duhet të jemi të kujdesshëm kujt po i shkojmë mbrapa, kujt po ia japim besimin dhe kush kemi vendos me fol në emër tonin. Kjo është ajo që jemi munduar për katër vite më thënë, që nga themelimi jonë”, tha Limaj.
Ai vlerësoi se Nisma Socialdemokrate është faktori kryesor për zhvillimet politike në vend, duke arritur që me politikën e urtë, me politikën që ofron njerëz, duke u dhënë mundësi të rinjve dhe të rejave, për të dhënë kontributin e tyre, me energji pozitive dhe duke u kthyer në një urë edhe për rivalët politikë. Ai pohoi se kontributi i Nismës është edhe në liberalizimin e vizave.
Limaj: Në fundin e qershorit BE do të rekomandojë liberalizimin e vizave
“Ne presim në fundin e qershorit përfundimisht Bashkimi Evropian të rekomandojë liberalizimin e vizave. Unë pres që më 15 dhjetor qytetarët e Republikës së Kosovës deri më 15 janar, të fillojnë e të udhëtojnë lirshëm pa viza anekënd Evropës dhe ndihemi krenar që Nisma Socialdemokrate ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për me ardhur të ky moment”, tha Limaj.
Kryetari i degës së Nismë Socialdemokrate për Ferizaj, Besnik Berisha, në paraqitej e raportit të punës, tha se Nisma që nga themelimi i saj në vitin 2014 në këtë komunë, është duke u rritur dhe duke u përqafuar nga qytetarët e kësaj komune
Berisha: Nisma Socialdemokrate është çdo ditë e më shumë duke u fuqizuar
“Nisma Socialdemokrate është çdo ditë e më shumë duke u fuqizuar dhe duke u rritur. Qytetarët janë duke na besuar, sepse ne jemi subjekt që e mbajmë fjalën, nuk japim premtime boshe. Kështu që është më rëndësi që çdo ditë e më tepër jemi duke u shtri, jemi duke u zhvillu dhe kjo falë edhe liderit tonë, z. Fatmir Limaj, dhe të gjithë deputetëve dhe ministrave, të gjithë njerëzve që e kanë përqafu këtë program të partisë Socialdemokrate”, tha Berisha.