auto shkolla klasa derrasa e zeze shkumesi1525601470 780x439 11 560x416 - Deputetët e LVV-së thirrje mësimdhënësve të fillojnë mësimin, prindërve të dërgojnë fëmijët në shkollë

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që shkollat të hapen dhe mësimi të fillojë të hënën e pesë shtatorit në gjithë Kosovën.

Ajo përmes një shënimi në Facebook, ka kërkuar nga drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit dhe gjithë personeli arsimor, që procesi mësimor të fillojë të hënën e pesë shtatorit.

“Mos i futni fëmijët në gërshërët e betejave politike e institucionale, kemi më shumē nevojë për dritë e dije se për bllokadë e stagnim! Mësimi duhet të fillojë nesër, nxënësit duhet të ulen në bankat e shkollës aty ku e kanë vendin, jo në rrugë e jo në shtëpi me dëshpërim që ende nuk u gjet zgjidhje për ta”, ka shkruar ajo.

Sipas deputetes së VV-së, mbajtja e fëmijëve jashtë bankave të shkollës dhe jashtë objekteve shkollore, jo vetëm se është e padrejtë, por është e kundërta e vetë misionit të mësimdhënëses/it.

“Për gjeneratat që kanë përjetuar shkollat/shtëpi e përpjekjet e jashtëzakonshme të mësimdhënësve vetëm e vetëm të mos ndërpritet procesi mësimor, arsyetimi se “50€ nuk janë sa kemi kërkuar, kërkojmë 100€ deri në miratimin e ligjit të pagave”, nuk është arsyetim i qëndrueshëm krahasuar me dëmin që po i bëhet fëmijëve dhe gjithë procesit mësimor”, shkroi ajo.

Pritjen e nisjes së vitit të ri shkollor, Kusari-Lila e ka quajtur “ankth” që sipas saj ka disa vite radhazi që përjetohet njëjtë.

“Ka disa vite radhazi që një shtatori fillon me të njejtin ankth: a do të ketë apo jo mësim se mund të kemi grevë. Tash kur ka filluar procesi i diskutimit publik të Projektligjit për Pagat, kur dihet që brenda këtij viti shkollor pagat e mësimdhënësve do të jenë ato meritoret dhe të cilat pas tetë viteve do të reflektojnë ndryshimin e merituar, mohimi i të drejtës elementare për mësimnxënie dhe mësimdhënie, është destruktiv dhe me pasoja të rënda për nxënësit në mbarë Kosovën”, shtoi deputetja.

Pos Kusari-Lilës nuk kanë munguar thirrjet as nga zyrtarë tjerë të Vetëvendosjes.

Nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, iu ka bërë thirrje prindërve të dërgojnë fëmijët në shkolla.

Ajo thotë se dialogu social nuk ka fund, por fëmijët nuk kanë kohë të presin.

“Prindër të dashur, përcillni nesër fëmijët në shkolla, kërkoni përkushtim nga mësimdhënësit dhe cilësi në arsim, meqenëse SBASHK-u fatkeqësisht e ka në mendje ndër vite vetëm një arsye për grevë”, ka shkruar ajo.

Gjatë ditës edhe Ministria e Arsimit iu ka bërë thirrje arsimtarëve që t’iu rikthehen shkollave, derisa ka bërë thirrje që të ndalet presioni politik nga “individë nga qeverisja lokale”.

Mirëpo, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se greva nuk do të ndërpritet pa u realizuar kërkesat e tyre.

www.foxshop-ks.com